Dhuro një veshje, ofro një buzëqeshje! (VULLNETARIZËM)

Qendra Kulturore dhe Filozofike Akropoli i Ri në bashkëpunim me Njësinë Bashkiake n.11, në kuadër të sektorit të Vullnetarizmit, organizoi ditën e diel, 23 dhjetor, nismën vullnetare “Dhuro një veshje, ofro një buzëqeshje”. Në këtë nisëm ndihmoi edhe Agna Group me ushqime për një fundvit më të lumtur.

Kjo nismë u ndërmor këto ditë fundviti për t’iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Gjatë këtyre ditëve, vullnetarë të Qendrës Akropoli i Ri, por edhe të tjerë me dëshirën e mirë për të ndihmuar, kanë dhënë kontributin e tyre duke sjellë në ambientet e kësaj Qendre veshje, ushqime si edhe materiale të nevojshme për të gjitha ato familje të cilat nuk kanë mundësi t’i kenë.

Gjatë gjithë ditës së diel, kemi vizituar këto familje duke shpërndarë dhurimet e mbledhura dhe shumë dashuri në çdo shtëpi të këtij komuniteti, duke ngrohur kështu paksa zemrat e familjarëve në nevojë.

Një akt modest por shumë domethënës, shënon edhe njëherë një tjetër vit ku duhet të vetëdijesohemi se sa shumë mund të bëjmë me pak dashuri për ata që kanë më shumë nevojë.

“Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me një dashuri të madhe!” Nënë Tereza

Ju presim në aktivitetet e ardhshme!
Qendra Kulturore dhe Filozofike
Akropoli i Ri


  • Postuar më: 28 Dhjetor, 2018