
Tiranë, – Akropoli i Ri Tiranë, duke ndjekur traditën e tij për të sjellë reflektim dhe zhvillim personal përmes leximit dhe dialogut, organizoi takimin e radhës të Klubit të Librit, ku u diskutua mbi veprën e Thomas Erikson “Rrethuar nga idiotë”.
Ky bestseller ndërkombëtar trajton mënyrat e komunikimit dhe tipologjitë e ndryshme të personalitetit, duke i ndarë njerëzit në katër kategori kryesore, të ilustruara me ngjyra: të kuq (dominues), të verdhë (socialë e entuziastë), të gjelbër (të qetë e të duruar) dhe blu (analitikë e të kujdesshëm). Libri sjell një qasje të thjeshtë dhe praktike mbi marrëdhëniet njerëzore, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë veten dhe të tjerët.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit patën mundësi të reflektojnë mbi stilin e tyre të komunikimit, të ndajnë përvoja personale dhe të diskutojnë mënyrat se si këto njohuri mund të përmirësojnë marrëdhëniet në familje, në punë apo në jetën shoqërore. Diskutimi i gjallë dhe i hapur i ktheu konceptet e librit në një udhëzues praktik për përditshmërinë.
Takimi i Klubit të Librit me “Rrethuar nga idiotë” dëshmoi edhe një herë përkushtimin e Akropolit të Ri për të ndërlidhur filozofinë, vetë-njohjen dhe dialogun në një hapësirë të gjallë reflektimi. Ky aktivitet u shndërrua në një mundësi të çmuar për të ndarë ide, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të zbuluar rrugë të reja drejt zhvillimit personal.
Për më shumë informacion mbi aktivitetet dhe takimet e ardhshme të Klubit të Librit, vizitoni faqen e internetit të Akropolit të Ri Tiranë.