FOTOGRAFIA SI URA ME TË KALUARËN

Qendra AKROPOLI I RI zhvilloi në muajin nëntor një aktivitet të veçantë që i referohet rëndësisë së fotografisë si rojtar i historisë dhe arkiv i jetës. Qëllimi ynë ishte të reflektojmë mbi rolin e fotografisë në ruajtjen e kujtesës, në ndërgjegjësimin mbi historinë tonë dhe në shprehjen artistike.

Gjatë aktivitetit, diskutuam se fotografia nuk është vetëm një imazh i fiksuar në kohë, por një dëshmi e gjallë që ruan momente, emocione dhe ngjarje të cilat përndryshe mund të humbnin. Ajo funksionon si një rojtar heshtur i historisë, duke bartur kujtime nga e kaluara dhe duke i përcjellë brezave të ardhshëm, ndërsa na fton të kemi vetëdije dhe përgjegjësi mbi atë që ruajmë dhe transmetojmë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të krijojnë fotografi sipas tematikave të caktuara, duke aplikuar njohuritë teorike dhe duke përjetuar drejtpërdrejt fuqinë e fotografisë si art dhe si dokument historik. Kjo praktikë e bëri aktivitetin jo vetëm një moment reflektimi, por edhe një eksperiencë krijuese, ku bukuria e fotografisë si formë arti u ndje dhe u përjetua nga secili pjesëmarrës.

Ky aktivitet na rikujtoi se fotografia është shumë më tepër se imazhe; ajo është një urë mes historisë dhe artit, një mënyrë për të ruajtur kujtimet dhe për të kultivuar ndërgjegjësinë tonë mbi jetën dhe historinë që na rrethon. Përmes saj, mësojmë të shohim, të kujtojmë dhe të krijojmë me qëllim dhe vetëdije.


  • Postuar më: 26 Dhjetor, 2025