Harri Poter është një fëmijë që e ka prejardhjen nga prindër magjistarë, por ka diçka që e dallon që në moshën foshnjore.
Është i damkosur me forcën shkatërruese të së keqes. Ishte shumë pranë vdekjes, por mburoja mbrojtëse e dashurisë mëmësore nuk e la helmin të depërtonte brenda tij. Nga kjo përplasje u formua në ballin e tij një rrufe e kuqe nga gjaku, si ajo e Perëndisë Zeus, simbol i lavdisë dhe fitores së dëshirës për të jetuar mbi vdekjen.
Dhjetë vitet e para të jetës së tij i kaloi, fatkeqësisht për të, me familjen e tezes së tij…vite të vështira dhe jo të këndshme. Në një prej shëtitjeve të rralla në kopshtin zoologjikë të qytetit, u gjend përballë një boa, me të cilën mundi të fliste në gjuhën e gjarpërinjve…ishte një gjarpër folës!…diçka të cilën nuk mund ta shpjegonte akoma.
E ndërsa rridhnin ditët e zakonshme dhe të mërzitshme të jetës së tij, një mëngjes i vjen në mënyrë postare, pra me anë të bufëve, një ftesë e papritur për regjistrim në shkollën “Hoguorts” për shtrigëri dhe magji.
Që nga ai moment, e papritura zë vend dhe jeta rutinë e Harrit, mbushet me ndodhitë nga më të çuditshme që do të mund të imagjinoheshin, jo vetëm ai vetë, por dhe miqtë e tij që gjenden përkrahë këtij nxënësi të vogël magjistar. Kështu futet në një realitet emri i të cilit është…Hoguorts! Dhe magjia është kudo…akoma dhe mure që kanë sy e veshë, armatura boshe që ecin si të gjalla, fantazma si “Niku gati pa Kokë” që bëjnë festa, elf shtëpiak si Dobi që gatuajnë në kuzhina, portrete-rojtarë në korridoret e shtruara me gurë, që ndonjëherë ikin nga kornizat e tyre dhe që kanë detyrë të ruajnë kalimtarët, korniza e Zonjës së shëndoshë, apo të Baronit të Gjakosur, të cilët që të lejojnë të hysh, duhet të dish fjalëkalimin p.sh. “turi derri” që është ndryshe çdo ditë…
Mësues magjie, specialistë në fusha të ndryshme, u mësojnë të rinjve dijet e tyre: mësime për bimë magjike dhe ndërtimin e porcioneve, mësime transformimesh dhe fluturime me fshesa magjike janë disa nga lëndët e shumta.
Si çdo fëmijë që ka gjërat e tij personale edhe Harri ka bufin e tij, Hedvigun, që transportonte letërkëmbimet e tij.
Armatoset me një Shkop Magjik që zbaton praktikisht fjalët magjike që ai thotë, fjalët e fuqisë që mëson nga Mësuesit e tij…
“Harri tërhoqi me një lëvizje të rrufeshme shkopin e tij. Dhe para se Logharti të arrinte të nxirrte shkopin e tij, bërtiti: “Afoplisius!” Loghart u hodh në ajër dhe ra mbrapa në senduqet e tij”
Këtu gjen miq të vërtet, Ronin dhe Hermionën që do ta shoqërojnë dhe do ta mbështesin si vëllezër në momentet e vështira, meqënëse edhe ata i përkasin së njëjtës shtëpi si dhe ai, Grifardi, ku përkasin magjistarët që dallojnë për guximin dhe bujarinë e shpirtit të tyre…do të marrë çmimin e fitimtarit në lojën ajrore më mahnitëse, Kuidiç, ku me “Nimbus 2000”, fjalën e fundit të teknologjisë magjike të fshesave fluturuese çan ajrin me një zhytje pingule dhe kap topin e vogël të artë i cili gjithashtu fluturon me një shpejtësi marramendëse!
Zë miqësi me Hagrid gjigandin, që e ka prejardhjen nga një nënë që është një gjigande dhe që ka dobësi për krijesa të veçanta që i rrit fshehurazi, si Nobert dragoin Norvegjez me krahët e tij të zeza e me gjemba ose Flafin qenin tre kokësh, rojtarin e bodrumit ku gjendet guri filozofik, centaurë si Bein dhe Ronan që dinë të interpretojnë lëvizjen e yjeve dhe planetëve…
Merr –trashëgimi e babait të tij- një mantel që kur e vesh bëhesh i padukshëm dhe që e përdori në disa raste që të futej në sallat e ndaluara të Hoguarts, të gjendej për shembull përpara pasqyrës “Erized” që projekton prindërit e tij të vdekur si të gjallë, që kaq shumë dëshironte…
Në një skenar të tillë, Harri pas çdo vështirësie të madhe apo të vogël, i duhet që të përballet me forcat e errëta të “Ti- E Di- Kushit”, të Voldemortit, padronit të Errësirës, vrasësin e prindërve të tij, dhe shkaktarin e shenjës që mbart në ballin e tij.
Që t’ia arrijë, përdor elementet magjikë dhe shokët e tij, guximin dhe zgjuarsinë e tij, mburojën mbrojtëse, forcën e dashurisë që i la mamaja pak para se të vdiste, por sidomos…duke pasur përkrahë tij Urtimorin, drejtorin e Shkollës Hoguorts, një njeri shpirtmirë, i drejtë dhe i mençur… me të vërtet një Magjistar i Bardhë që me forcat e tij shumë të pastra si dhe me metodat e tij të zhvilluara, mund të ketë akses në informacione që i përkasin së shkuarës apo së ardhmes së largët. Di se çfarë ndodh brenda dhe jashtë Shkollës duke ruajtur sigurinë nga sulmet e shpeshta të forcave të kaosit.
Bashkë me Urtimorin, ka në anën e tij dhe aleatë me të cilët bashkëpunon, si Foks, Feniksin e artë, zogun e zjarrtë që me zërin e tij aktivizon forcat e Dritës dhe të Jetës dhe që me lotët e tij, shëroi Harrin nga vdekja e sigurt në një nga aventurat e tij.
Fjalët çelës:
Magëllsat (Babanacët): Janë njerëzit e sotëm, jeta e të cilëve është e automatizuar. Funksionet e tyre janë të droguara nga komfortet e jetës materiale.
Nuk shohin asgjë përtej kufizimeve të shqisave të tyre që përcaktojnë realitetin… nuk besojnë se ekzistojnë gjëra të tjera në jetë. Magëllsat nuk mund të depërtojnë në botën e magjistarëve, ekzistencën e të cilëve nuk e pranojnë, sepse brenda vetes i kanë frikë.
Magjistarët: Maja, është bota e iluzionit në filozofinë Lindore. Ky dimension i referohet botës së ndjenjave, ku gjithçka është e shpërbëshme dhe relative. Loja e dualizmit është loja e magjistarëve. Magjistari është ai që luan si jeta iluzionare… krijon realitete të figurshme ,por të besueshme dhe të “vërteta” nga ndjenjat.
Por kurthi i magjistarit gjendet tjetërkund, gjendet në anën tek e cila luan, tek skuadra që bën pjesë … qëllimeve të cilat u shërben. Prandaj flitet për magjinë e “Bardhë” dhe të “Zezë”.
Hoguorts: Është Shkolla e Magjisë tek e cila gjenden mësues magjie dhe shkojnë vetëm fëmijë të cilët trashëgojnë nga prindërit e tyre një perceptim magjik të jetës. Fantazia e tyre është e gjallë dhe mund ta shohin jetën me një sy pozitiv, ku gjithçka është e mundur… në Hoguorts mësojnë se si ta bëjnë realitet ato që duan, ato që shohin më sytë e fantazisë…
Fantazia aktivizon pikëpamjen pozitive për jetën, ku gjithçka është e mundur, mjafton që të përpiqesh…
Magji, është shkenca, dija me anë të së cilës dikush mund të realizojë atë që sytë e fantazisë ëndërrojnë.
Vetëtima: Simbol qiellor i fuqisë së zjarrtë shpirtërore . Fuqia e vullnetit të lirë. Është forca e pastër.
Gjarpëri: Si zvarranik horizontal, simbolizon materien në shprehjen e saj të errët. Vertikal, si tek pema e protoplast, është simbol i Vëmendjes dhe Diturisë. Si dragonjtë e diturisë, gjarpërinjtë fluturues që hedhin zjarr, që do të thotë se përdorin shkëndijën mendore.
Volldemort (Fluronvdekja): Është padroni i vdekjes. Fuqia shkatërruese.
Dambëlldor (Urtimor): Emri i tij do të thotë dy-dyersh, shprehje alegorike e Initacionantit, që është i lidhur me dimensionin apokrifik të jetës.
Fjalët e Magjisë: Skeptomorfoza të drejtuara që çlirojnë fuqitë e tyre me fjalë që shqiptohen me një mënyrë të theksuar.
Pasqyra: Realitet fenomenal që projekton dëshirat tona. Një dimension gënjeshtar që burgos shpirtin dhe nuk të çon asgjëkundi.
Feniksi: Simbol i lavdisë dhe fitores së jetës mbi vdekjen. Zogu i artë e i zjarrtë ringjallet nga hiri i tij. Përpjekja e drejtë që kurorëzohet me gjethet e dafinës.