Filozofia sekrete e Platonit

Nga filozofët klasik më të mëdhenj, nxënësi më i njohur i Sokratit dhe ndoshta më i devotshmi ndaj mësimdhënieve të tij, me dhunti të shumta, Platoni, rezultoi objekt studimi por edhe kritike të ashpër për pasardhësit e tij. Shumë u mbështetën në mësimdhëniet e tij për të futur teori të reja dhe sisteme filozofike që shumë i përdorën, zakonisht duke i përzier, që t’u shërbenin për përfitime vetjake. Sido që të jetë, Platoni ka qënë dhe mbetet një nga filozofët më të rëndësishëm të Greqisë klasike dhe nuk do të pushoj asnjëherë së studiuari nga adhuruesit e filozofisë dhe jo vetëm. Por, edhe pse janë shkruajtur shumë për veprat dhe mësimdhëniet e tij, ekziston një pjesë që nuk duket se i intereson shumë filologëve modernë dhe kërkuesve. Brënda veprës të Platonit fshihen shumë dije të thella brendësore që nuk dallohen në sy të parë. Dhe megjithatë, Esoterizmi është elementi mbizotërues në veprën e filozofit të madh, i cili njohu të gjitha qëndrat më të rëndësishme të dijes që ekzistonin në periudhën e tij, brenda dhe jashtë hapësirës Greke.

Për Njeriun.

Sa i përket përbërjes së njeriut si qënie, esoterizmi përmend se njeriu përbëhet nga dy elementë bazorë: Shpirti (e pavdekshmja) dhe Personaliteti. Brenda ciklit të rimishërimeve, ajo që mbetet e pandryshueshme, e pashpërbërshme, e përjetëshme është Shpirti, i cili mishërohet çdo herë në një trup të shpërbëshëm që ka karakteristika të veçanta të cilat përbëjnë personalitetin e çdo individi.

Personaliteti përbëhet nga katër mbartës themelor: Trupi Fizik, Energjia që i jep jetë këtij trupi- që në esoterizëm quhet PRANA, Bota jonë Ndjesore dhe Mendja Egoiste, (i cili mendohet dhe e drejton njeriun në bazë të dëshirave dhe qëllimeve të tij personale?). Këto 4 mbartës lidhen me 4 elementët krijues të botës: Tokë, Ujë, Ajër, dhe Zjarr sipas rradhës.

Shpirti nga ana tjetër është ai që bën pjesë tek esenca hyjnore është pika e shenjtë e njeriut dhe pikërisht për këtë arsye përbën një urë e cila bashkon njeriun me Perënditë. Përbëhet gjithashtu nga mendja e pastër dhe altruiste, Manasi në sanskritisht, “nga mbartësi parandjesor Budi dhe nga shkëndija hyjnore e Vullnetit ose Atma, që është qënia e vërtet e njeriut, shkaku i të gjithë të tjerëve, INDIVIDI.” 

Të gjithë këta mbartës të njeriut do të mund të kategorizoheshin edhe në një mënyrë tjetër në tre vënde: Trup, Psikikë, Mendje ose Shpirt, dhe psikika përbërëse e urës midis Trupit dhe Shpirtit. Këtë ndarje e gjejmë në mënyrë shumë të qartë tek Platoni ku thotë: “Pasi vuri mendje tek shpirti dhe shpirt tek trupi (Krijuesi) ndërtoi gjithçka që ekziston.” Për të njëjtën gjë na flet Platoni kur i referohet Psikikës dhe pjesëve të saj. Ai mendon se Psikika përbëhet fillimisht nga dy pjesë, një të vdekshëm dhe një të pavdekshëm. Pjesa e tij e pavdekshme është që burgoset brënda trupit të vdekshëm – i cili është mishërimi i Shpirtit brënda botës materiale – ndërsa ai i vdekshmi është mbartësi ndjesor dhe mendor i personalitetit. Pjesën e vdekshme e ndanë Perënditë në dy të tjera, një superiore dhe një inferiore dhe midis tyre vendosën “frenat”, që është mendja që arsyeton, që është intelekti fizik i njeriut. Platoni e quan pjesën inferiore dëshirori dhe e lidh me instiktet si dhe dëshirat e ulëta, pjesën superiore e quan zemërori që përfshin emocionet tona të ndryshme të cilat ndikojnë mbi gjendjen tonë emocionale. E para bazohet tek qejfi dhe përmban fantazitë dhe dëshirat, ndërsa e dyta bazohet afër kokës.

Përsa i përket pjesës së pavdekshme të psikikës, sipas filozofit të madh quhet logjiku. Që të ekzistojë harmoni dhe drejtësi tek njeriu, duhet që kjo pjesë e pavdekshme të kontrollojë dhe të mbizotërojë mbi të gjitha të tjerat. Sipas esoterizmit, që njeriu të zhvillohet dhe të përmirsohet vazhdimisht është i detyruar që të veprojë dhe të jetojë duke u mbështetur mbi pjesën e tij Shpirtërore dhe duke kontrolluar personalitetin e tij.

Për Qytetin

Këtë ndarje të trefishtë të psikikës shtjellon Platoni në veprën e tij “Republika” dhe e lidh me drejtësinë, si për sa i përket njeriut, ashtu edhe përsa i përket republikës, me caktimin e qytetarëve në tre kasta. Kjo ndarje nuk bëhet në bazë të trashëgimisë, as sipas statusit ekonomik të qytetarëve por bëhet në bazë të zhvillimit brendësor të secilit dhe aftësisë së tij për të përdorur llogjikun, duke kontrolluar personalitetin dhe pjesët inferiore të psikikës.

Këto tre kastat e qytetarëve karakterizohen nga një virtyt, gjithmonë në përputhje me pjesën e psikikës që dominon. Kështu pra, tek ata që mbizotëron logjiku – si rrjedhim janë më të zhvilluarit nga ana brendësore dhe kontrollojnë më mirë elementët e mëposhtëm të personalitetit – karakterizohen nga virtyti i diturisë dhe bëjnë pjesë tek kasta e Arkondëve-Klerikëve. Janë ata të cilët, pasi e kanë zbatuar drejtësinë tek vetja e tyre, mund ta ushtrojnë në qytet dhe të udhëheqin me drejtësi të tjerët.

Më pas vijnë Rojtarët, ku dominon pjesa e zemërorit tek psikika dhe karakterizohet nga virtyti i trimërisë. Janë rojtarët e qytetit, që, nëpërmjet stërvitjes së duhur mund të përdorin pjesën e zemërorit të psikikës duke kultivuar pjesët më të pastra dhe të larta të ndjenjave, ndërkohë që kanë kontrolluar dëshirorin inferior.

Dhe së fundmi, kemi njerëzit që kontrollohen nga dëshirori dhe karakterizohen nga virtyti i modestisë. Janë bujqit dhe artizanët e qytetit. Ndarja që bën Platoni, për arsye se bëhet në bazë të karakteristikave natyrale dhe jo në bazë të ndarjes klasore apo ekonomike nuk përmban asnjë lloj racizmi. Të gjithë janë të dobishëm brënda Republikës së tij dhe të gjithë janë të nevojshëm. Por, që republika të funksionojë drejtësisht dhe të jetë burim i zhvillimit për qytetarët e saj, secili prej tyre duhet të ketë vendin që i takon dhe të kontribuojë në përputhje me mundësitë dhe aftësitë e tij tek të gjithë të tjerët, gjithmonë me synimin e të mirës së përbashkët.

Ky është revolucioni që sjell Platoni në të dhënat e epokës me rezultat pranimin e kritikave të ashpra dhe dyshimeve të shumta. Por duke studiuar dikush sidomos këtë vepër, “Republikën”, vetëdijësohet për kuptimin e saj në mënyrë shumë natyrale dhe kupton se të gjitha këto bazohen në të vërteta shumë të thella, të cilat filozofi i zotëroi nga qendrat e mistereve të epokës së tij tek të cilat ishte initacionuar.

Për Botën.

Të dhënat më të shumta për botën dhe krijimin e saj i takojmë tek Timeo. Edhe pse bëhet fjalë për një nga dialogët e Platonit, tek kjo vepër shprehet shumë pastër një Mësimdhënie Sekrete. “Nuk është rastësore që Platoni vendos një Pitagorian, Timeo, që ta rrëfejë, pasi pitagorianët shprehnin në lashtësi dijet më të thella të filozofisë brendësore. Pastaj shumë studiues mendojnë se tek Timeo përmbahen dije pitagoriane të pastra, të cilat i kishte në zotërim Platoni.”

Timeo e fillon me një nga pyetjet më të rëndësishme dhe filozofike të të gjitha kohrave dhe të të gjithave sistemeve filozofike: “Çfarë është qënia? Çfarë është ajo që ekziston gjithnjë por nuk lind asnjëherë dhe çfarë është ajo që gjithnjë lind por asnjëherë nuk ekziston?” Është pyetja e përjetshme filozofike për “atë që Është” dhe “ajo që Ekziston”, bota e krijuar dhe ajo e pakrijuar, e shfaqura dhe e pashfaqura.

Që tek Republika, me anë të mitit të shpellës, Platoni ndan të shfaqurën, botën e ndryshueshme materiale të iluzionit, Eterin, nga bota e vërtetë dhe e pandryshueshme e Arketipeve, botës së Ideve, ajo që ngelet e Njëjtë. Atje banojnë 4 Arketipe: Mirësia, Drejtësia, Bukuria, e Vërteta, që mishërohen në botën materiale si Feja, Politika, Arti, dhe Shkenca.

Përsa i përket Krijimit fillestar, Platoni nëpërmjet gojës së Timeos, thotë se në fillim ishte kaosi. Por Krijuesi vendosi rregull në atë kaos dhe formoi Universin pasi vuri mendje tek shpirti dhe psikikë tek trupi, duke përdorur analogjinë, të cilën e shtjellon matematikisht gjatë veprës.

Në vazhdim përmend 4 elementët, Tokë, Ujë, Ajër, Zjarr nga të cilat, duke u bashkuar sëbashku nëpërmjet nje analogjie harmonike, Perëndia formoi botën e dukshme e të shfaqur. Nga këto katër element krijoi edhe njeriun me 4 mbartësit e tij të personalitetit të cilat përmend Esoterizmi.

Shpirti i botës u krijua përpara se të krijohej trupi i tij dhe u vendos fillimisht në qendër. Më pas, u zgjerua në mënyrë që të mbulonte të gjithë botën nga jashtë. “Këtu, në përputhje me analogjinë e strukturës së njeriut sipas Esoterizmit, mund të themi se Platoni i referohet Aurës së Botës, diçka e pa arritshme për mendjen njerëzore.”

Në vazhdim, lidh 4 elementët me 4 figurat solide, të përbërë nga trekëndësha, të cilët kontraktohen në krijimin e botës. Lidh pra Zjarrin me Piramidën-me katër faqe, Ajrin me tetë faqe, Ujin me njëzet faqe, dhe tokën me kubin. Me anë të kombinimit të këtyre figurave gjeometrike Perëndia krijon botën. Por ekziston edhe një figurë solide e pestë që lidhet me elementin e pestë, Eterin. Është pesëkëndëshi me 12 faqe, i cili përmbahet në format e botës së padukshme, tek ekzistenca e të cilave përfundon logjikisht, nëpërmjet arsyetimeve matematike, aritmetike dhe gjeometrike. Tek e njëjta vepër por edhe tek të tjerat, filozofi na flet për Atlantisin duke na dhënë të dhëna të hollësishme për strukturën e saj dhe të njerëzve gjithashtu, diçka të cilën Esoterizmi e përmend shpesh herë dhe gjerësisht. Bëhet fjalë për një fazë të zhvillimit njerëzor që quhet raca e katërt dhe banonte në një kontinet që ndodhej në oqeanin e sotëm Atlantik.

Janë kaq të shumta mësimdhëniet brendësore që gjejmë në veprat e Platonit për të cilat do të ishte e pamundur të shpreheshin në këto pak rreshta. Lexuesi do të mund të endej më shumë në këto mësimdhënie duke studiuar vetë filozofin dhe duke kërkuar burimet e fshehta të veprave të tij, duke i krahasuar ato me të vërtetat filozofike të Esoterizmit. Do të zbuloj se nuk bëhet fjalë thjesht për një tjetër filozof klasik, por për një personalitet shumë të zhvilluar, një njeri të ndriçuar, një Initacionant të Vërtetë.

  • Postuar më: 04 Shtator, 2014