
Tiranë, 7 korrik 2025 – Akropoli i Ri Tiranë organizoi aktivitetin “Arti i lentes”, një mbrëmje kushtuar fuqisë së fotografisë si mjet shprehjeje dhe komunikimi. Aktiviteti solli në qendër të vëmendjes fotografinë jo vetëm si art vizual, por edhe si një mënyrë për të parë dhe kuptuar botën me sy të rinj.
Pjesëmarrësit u njohën me fotografinë si një gjuhë universale që tejkalon kufijtë dhe kohën – një mjet shprehjeje artistike që ruan çaste të përditshme, duke i kthyer ato në kujtime dhe mesazhe me kuptim. U theksua rëndësia e krijimtarisë së të rinjve përmes artit vizual, si dhe aftësia e fotografisë për të dokumentuar jetën e përditshme me spontanitet dhe thellësi. Në këtë kontekst, u sollën shembuj të fotografëve të famshëm që kanë lënë gjurmë në historinë e artit, duke dëshmuar se fotografia ka fuqinë të ndryshojë perceptime dhe të frymëzojë breza të tërë.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte ushtrimi praktik, ku anëtarët u ndanë në çifte dhe përmes objektivit fotografik u ftuan të shprehnin bukurinë që shihnin te njëri-tjetri. Ky ushtrim tregoi se arti i fotografisë nuk është vetëm kapje e imazhit, por edhe një mënyrë për të ndërtuar lidhje, për të njohur më thellë tjetrin dhe për të ndarë mesazhe të fuqishme vizuale.
Me këtë aktivitet, Akropoli i Ri Tiranë vazhdon të promovojë artin si një urë mes shprehjes personale dhe komunikimit filozofik, duke kujtuar se fotografia është një trashëgimi kulturore që ka shënjuar botën dhe vazhdon të ndikojë mbi mënyrën se si e shohim jetën.