FATET NË MITOLOGJINË SHQIPTARE

Figura të besimeve popullore dhe përrallave, që përfytyrohen si tri gra që vijnë natën e tretë te djepi i të posalindurit dhe i caktojnë fatin e jetës. Në veriun e Shqipërisë këtë detyrë e kryejnë Orët. Çdo pësim i njeriut i mvishet vendimit të tyre, ndaj njerëzit ngushëllohen duke thënë: kështu e shkruan Fatet. Natën e tretë bëhet edhe kremtja e familjes, që quhet poganiçe. Për këtë rast piqet një bukë, e cila thyhet mbi djepin e fëmijës. Ndër të krishterë, pas kësaj ceremonie i vihet emri fëmijës. Thirren edhe Fati, Vitore, Mira, Mirushe (E. Giordano, Fjalori), Orë (në Veri), Fata (Hora e Arbëreshëve), Fëtresha (E. Giordano, Fjalori), Fatmira, Fatëza (E. Giordano, Fjalori), Fatie (De  Rada, Raps., 14v), Fatia (Pederson, f. 205).

Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.


  • Postuar më: 04 Shtator, 2017