AKROPOLI I RI NË PANAIRIN E LIBRIT 2025

Edhe këtë vit, ne, Botimet Akropoli i Ri, morëm pjesë në Panairin e Librit 2025, duke ndarë me lexuesit pasionin tonë për librin, filozofinë dhe njohjen e vetvetes. Panairi ishte një mundësi e çmuar për t’u takuar drejtpërdrejt me publikun dhe për të shkëmbyer ide rreth rolit të librit në jetën e përditshme. 

Në stendën tonë prezantuam një përzgjedhje botimesh që pasqyrojnë qartë rrugën që ndjekim: filozofinë si mënyrë jetese, zhvillimin e vetëdijes dhe kulturën e reflektimit. Vizitorët u njohën me vepra si Alkimisti, Ankor, princi i fundit i Atlantidës dhe Qeni Moasi të Jorge Angel Livraga, si edhe me librat Të njohësh vetveten, Filozofia si mënyrë jetese dhe Lojërat e Majas të Delia Steinberg Guzman, si dhe Në këmbët e mësuesit të Jiddu Krishnamurtit.

Krahas tyre, sollëm edhe tituj të tjerë filozofikë e reflektues, si Heroi i përditshmërisë, Darma, Dijet e të lashtëve, Elementarët, Qeniet e padukshme dhe Meditime mbi filozofinë e parë, si dhe revistën “Filozofikja”, një hapësirë për mendimin filozofik bashkëkohor.

Në këtë panair patëm kënaqësinë të prezantojmë edhe dy botimet tona të reja, Mbreti luftëtari dhe Sferat e vetëdijes, të cilat u pritën me interes nga lexuesit.

Panairi i Librit 2025 ishte për ne mbi të gjitha një takim i ngrohtë me lexuesin. Ju falënderojmë për interesin, bisedat dhe energjinë pozitive. Ne do të vijojmë të sjellim libra që nxisin mendimin, thellojnë ndërgjegjësimin dhe shërbejnë si udhërrëfyes në rrugën personale të secilit.


  • Postuar më: 26 Dhjetor, 2025