Klubi i Librit XXV - Të kesh apo të jesh?

Qendra Kulturore dhe Filozofike Akropoli i Ri, organizoi të Dielën e 28 Tetorit, Klubin e Librit 25

Këtë herë u fol mbi një ndër librat më të diskutuar të psikanalistit Erich Fromm, me titull “Të kesh apo të jesh?”

Prezantimi u mbajt nga dy anëtarë të Qendrës Akropoli i Ri, të cilët risollën përpara lexuesve disa nga pikëpamjet e Fromm mbi të pasurit dhe të qenurit, duke i vendosur në kuadrin e përditshmërisë.

Duket se këto dy kategori, “të kem”, diçka natyrale e qenies që në fillimet e ekzistencës së saj, si edhe “të jem”, pra vetë ekzistenca, kanë qenë dhe janë ende në një luftë të vazhdueshme.

Fromm na thotë se në ditët e sotme, të pasurit është më tepër shprehje e pushtetit, kurse të qenurit është diçka që pushtetarëve nuk u intereson, pasi “Të jesh” do të thotë të jetosh me dinjitet, të jesh humanist dhe të jepesh për të tjerët, dhe jo i tërhequr nga fama, pushteti apo paraja.

Për këtë arsye, ky libër na jep mesazhin se sot nuk duhet të luftojmë mbi “të kesh” por të guxojmë të jemi, të guxojmë të jemi njerëz për veten dhe për shoqërinë, të jemi aty për t’i shërbyer shoqërisë dhe mbi të gjitha, të jemi shembull jete për veten dhe të tjerët, që vetë ekzistenca t’ia vlejë.

Pas prezantimit, pjesëmarrësit në Klubin e Librit, u mblodhën në një bisedë të lirë me anëtarët e Qendrës sonë, ku u diskutua më tepër mbi librin dhe jo vetëm.

Ju presim në aktivitetet e ardhshme!

Qendra Kulturore dhe Filozofike
Akropoli i Ri

  • Postuar më: 30 Tetor, 2018