Intervistë me Gandin

Erdhi në takimin tonë për intervistën me tren, me biletë të klasit të tretë. Kur e pyetëm se përse udhëton me klasin e tretë na u përgjigj plot modesti: ‘’Sepse nuk ekziston klas i katërt’’.

Z. Gandi, ndihem shumë i emocionuar që më jepni mundësinë të bisedojmë sëbashku. Jeni bërë pjesë e historisë si i vetmi lider që arriti të shkaktonte një revolucion të pagjakosur dhe në fund të dalë fitimtar.

Këtu më lejoni t’iu ndërpres. Lavdërimet e shumta fyejnë. Je i detyruar të thuash se nuk i meriton.

Më falni. Nuk kisha asnjë synim t’iu fyeja por është i padyshueshëm kontributi juaj në qytetërimin botëror. Për herë të parë dhatë një zgjidhje alternativë, një rrugë reagimi ndryshe për turmat që shtypen dhe të gjitha këto nëpërmes strategjisë së mos-dhunës.

Mos-dhuna është fuqia më e madhe në dispozicion të njeriut. Është më e fuqishme se sa arma më e fuqishme e shkatërrimit që u shpik ndonjëherë nga kreativiteti i njeriut.

Çfarë ju udhëhoqi tek një përceptim i tillë?

Jam kundër dhunës, megjithëse përdorimi i dhunës mund të duket se ndonjëherë bën mirë, por kjo e mirë është e përkohshme, ndërsa e keqja që shkakton është permanente. Jam gati të vdes, por nuk ekziston asnjë qëllim për të cilin të jem gati të vras.

Domethënë nuk jeni dakort se ‘’Qëllimi justifikon mjetet’’?

Jo, aspak. I vetmi rezultat që do të kishte ‘’sy për sy’’ është se do të përfundonte kur të kishte bërë të gjithë botën të verbër. Mos-dhuna presupozon një besim të dyfishtë: besim ndaj Perëndisë dhe besim ndaj njeriut.

Cila është forma më e keqe e dhunës?

Varfëria është forma më e keqe e dhunës

A nuk ekzistojnë raste në të cilat zemërimi njerëzor nëse nuk justifikohet, shpjegohet?

Zemërimi ka gjithmonë një shkak, por rrallë herë është i mirë.
Akoma dhe kur janë në pikëpyetje ideale si Liria dhe Demokracia?

Çfarë rëndësie ka për të vdekurit, jetimët dhe të pastrehët dhe çdo shkatërrim që u shkaktua në emër të totalitarizmit apo në emrin e shenjtë të Lirisë apo të Demokracisë? Të vdekurit mbeten të vdekur, jetimët mbeten jetimë dhe të pastrehët mbeten të pastrehë.

 Mos-dhuna nënkupton dhe mos-veprim?

Përkundrazi. Mos-dhuna nënkupton veprim esencial i cili buron nëpërmes ndërveprimit të sinqertë midis njerëzve. Veprimi tregon prioritetet. Një njeri është totali i veprimeve të tij kundrejt të tjerëve. Çfarë ka bërë, çfarë mund të bëjë. Asgjë tjetër. Kështu duke nxitur veten tënde për të ndihmuar bashkënjerëzit e tu duke u dhënë njëkohësisht vlerë, kjo gjë jo vetëm e bën jetën e tyre më të mirë, por dalë ngadalë ekziston tendenca që të marrësh mbrapsht atë që ke dhënë. Njerëzit që ndihmon ndjejnë tendencën për të ndihmuar njerëzit e tjerë.Kështu krijohet një spirale ngjitëse ndryshimi pozitiv që rritet dhe forcohet.

A mjafton kjo mënyrë atëherë kur tirani që gjendet mbi kokën tënde është shumë i fuqishëm?

Kur më kap dëshpërimi rikujtoj se në të gjithë ecurinë e historisë së Njerëzimit rruga e së Vërtetës dhe e Dashurisë gjithmonë del fitimtare. Kanë ekzistuar tiranë dhe vrasës që për një periudhë kohore dukeshin të pamposhtur. Por në fund, të gjithë bien, mbajeni gjithmonë mend këtë.

Çfarë tjetër mund të bëjë një skllav kundër tiranit të tij atëherë kur i ka ezauruar të gjitha mjetet që zotëron në mënyrë që të çlirohet?

I vetmi tiran që pranoj është zëri i fortë brenda meje. Momentin që skllavi vendos të mos jetë më skllav, zinxhirët këputen vetë.

Por ky zë i fortë që thoni a mund të bëjë gabim ndonjëherë?

Liria nuk vlen asgjë, nëse nuk përfshin lirinë për të gabuar. Por dy janë gabimet shkatërruese me të vërtetë që mund të bëj në rrugën time drejt së vërtetës. Të mos arrij deri në fund dhe as të mos kem filluar fare rrugën.

A ekziston një e Vërtetë apo shumë të tilla?

E vërteta është një dhe ekziston dhe atëherë kur nuk ka mbështetës. E vërteta është e fshehur mirë pas të drejtës së turmave. Detyra jonë është ta zbulojmë atë dhe të mos biem në gabim që ta keqinterpretojmë atë.

A ekzistojnë raste ku të jetë më i mirë mbulimi i së vërtetës për një qëllim më të mirë?

E vërteta kurrë nuk dëmton një qëllim që është i drejtë.

Çfarë ju bën të mendoni se gjendja në vendin tuaj do të ndryshojë për mirë?

Besimi tek qytetarët e tij. Ekzistojnë gjithmonë elementë të mirë tek njerëzit por edhe gjëra që nuk janë aq të mira. Por në momente historike kritike besoj se ekziston një fuqi magjike e cila udhëheq në shfaqjen e elementëve më të mirë dhe në një vëllazërim të vërtetë kundër çdo lloj dinastie.

A besoni se ky ndryshim është i afërt?

Po, besoj se është më afër se kurrë dhe kjo si arsye se bashkqytetarët e mi kanë kuptuar dy të vërteta shumë bazore.

Cilat janë këto të vërteta?

E para është se për të parë ndryshimin që duam, duhet të bëhemi ne vetë ai ndryshim. E dyta është se bota është mjaft e madhe për të kënaqur nevojat e çdo njeriu, por është shumë e vogël për të kënaqur lakminë njerëzore.

A i vendosni vetes objektiva afatgjata?

Unë ëndërroj si të ishte për të jetuar gjithmonë dhe jetoj sikur të ishte për të vdekur sot.

A mund të ma shpjegoni këtë?

Kur jeton vetëm momentin aktual atëherë nuk shqetësohesh për të ardhshmin të cilin nuk do të mund ta kontrollosh sidoqoftë. Kështu, frika dhe ngurimet që ke si arsye e pasojave të mundshme negative të cilat do të të udhëhiqnin në mos-veprim, e humbin fuqinë e tyre dhe bëhet shumë më e lehtë për të vepruar dhe për të mbetur i përqendruar në momentin aktual në mënyrë që të kesh maksimumin e rendimentit.

Domethënë nuk përpiqeni ta parashikoni të ardhmen në mënyrë që të përgatiteni siç duhet?

Nuk dua të parashikoj asnjë të ardhme. Më shqetëson vetëm e tashmja. Perëndia nuk më ka dhënë kontroll të momenteve që do të vijnë në të ardhmen.

Ku mund ta gjejmë Perëndinë?

Kudo ku ka dashuri atje gjendet Perëndia.

A është Perëndia dhe afër mëkatarëve?

Kryesisht gjendet afër atyre. Duhet të mësojmë të urrejmë mëkatin dhe të duam mëkatarin.

Cili është mendimi juaj për fetë?

Mua më pëlqejnë fetë. Nuk më pëlqejnë disa nga ndjekësit e tyre që shfrytëzojnë emrin e feve për t’i shërbyer interesave të tyre personale përfituese.

A ekziston një qytetërim njerëzor botëror?

Ekzistojnë modele botërore jetese por ende nuk ekziston një qytetërim i tillë. Kuptimi i vërtetë i një qytetërimi nuk presupozon rritjen e konsumit, por kufizimin e lirë dhe të mirëstudiuar të epsheve.

Po qytetërim Kombëtar a ekziston?

Qytetërimi i një kombi gjendet tek zemrat dhe shpirtrat e njerëzve të tij.

Kur qytetërimi mund të na drejtojë drejt një bashkëvëllazërie midis të gjitha kombeve?

Indianë, Persianë, të Krishterë, Muslimanë dhe Hebrenj, nëse duam të jetojmë si një komb, duhet të arrrijmë që interesi i secilit të bëhet interesi i të gjithëve. Mendimi ynë i përbashkët duhet të jetë Drejtësia, për secilën prej palëve.

Si duket nëse ekziston përparim në këtë drejtim?

Përparimi moral i një kombi duket nga mënyra me të cilën sillet ndaj kafshëve dhe ndaj Natyrës. Ndjej se përparimi shpirtëror me të vërtetë kërkon, në një pikë, të ndalojmë të vrasim krijesat tona shoqëruese dhe së shkatërruari Natyrën për kënaqjen e gustove tona trupore. Këto veprime tonat nuk janë asgjë tjetër përveç se një pasqyrim i asaj që i bëjmë vetes tonë dhe nëjri tjetrit.

A ka shpresë?

Nuk duhet ta humbim besimin ndaj Njerëzimit. Njerëzimi është si një oqean. Nëse disa pika janë të pisëta, nuk do të ndotet i gjithë oqeani.

Jeta juaj është kërcënuar shumë herë si arsye e të qënit aktivist dhe janë bërë shumë atentate kundrejt jush. A keni pasur ndonjëherë frikë?

Sigurisht që kam pasur frikë, njeri jam. Kam ndjerë frikë shumë herë por kurrë nuk kam qenë burracak. Frika ka një farë dobishmërie, por burracakëria nuk ka asnjë. Sidoqoftë, asnjeri nuk mund të më dëmtojë pa lejen time.

Çfarë keni për tu thënë kundërshtarëve tuaj të cilët kanë përdorur kundër jush akoma dhe pushtetin gjyqësor?

Ekziston një gjyq më superior se sa ato shtetërorë dhe ai është gjyqi i vetëdijes. Ky gjyq mbizotëron mbi të gjitha gjyqet e tjera. Mund të më lidhin me zinxhirë, mund të më torturojnë, mund të shkatërrojnë akoma dhe këtë trup, por kurrë nuk mund të burgosin mendjen time. Njeriu i lirë mund të jetë i tillë edhe i mbyllur në kafazin e burgut të tij.

Nënkuptoni se nuk ju ka kaluar kurrë nga mendja që të tërhiqeni nga kauza juaj?

Më mirë të bëhem një mijë copash se sa të tërhiqem nga vëllezërit e mi të klasave të shtypura. Miku im, është më mirë të qëndrosh në këmbë me kokë të plagosur dhe të fashuar, se sa të zvarritesh barkas për të shpëtuar kokën.

A besoni se do t’i mundni?

Të paktën besoj se jemi në rrugën e duhur. Fillimisht të shpërfillin, në vijim të tallin, pastaj të luftojnë, në fund i mund.

A do t’i falnit ndonjëherë armiqtë tuaj?

Aftësia për të falur është veçori e guximtarëve. Burracakët nuk falin kurrë.

A e konsideroni veten se keni qënë frymëzim për një grup të madh njerëzish?

Nuk është e mençur të bazohemi tek frymëzimet. Ata që dinë se si të mendojnë, nuk u nevojiten frymëzime. Është e shëndetshme të mendojmë se i forti mund të dobësohet dhe se i mençuri mund të gabojë. Sidoqoftë, një gram veprimi vlen shumë më tepër se sa tonelata mësimesh teorike.

Çfarë është lumturia?

Lumturi është atëherë kur ato që mendon, ato që thua dhe ato që bën gjenden në harmoni me njëra tjetrën. Ajo çfarë ndjen dhe mënyra se si reagon ndaj diçkaje, varet gjithmonë nga ti. Mund t’i zgjedhësh mendimet, reagimet dhe emocionet e tua gati gjithmonë. Asnjeri tjetër përveç teje nuk mund të kontrollojë se si ndjehesh ti dhe se si ato që ndjen do ti materializosh me veprime. Pasi thjesht të besosh diçka dhe të mos ta jetosh atë, është e pandershme.

A mund të më thoni ato që duhet të ketë dikush që të arrijë lumturinë e tij personale...

Do ju përgjigjem në të kundërt të pyetjes tuaj pasi sa më pak të kesh, aq më pak dëshiron. Do të të them ato që duhet të shmangësh të kesh.

Pasuri pa mundim.

Dije pa karakter.

Politikë pa parime.

Kënaqësi pa ndjenjë.

Tregëti pa moral.

Shkencë na njerëzillëk.

Dashuri pa sakrificë.

Kush është roli i edukimit në formimin e vetëdijeve njerëzore?

Është shumë esencial. Nëse edukimi nuk shoqërohet me besim ndaj idealeve jo vetëm është i padobishëm, por bëhet dhe shkatërrues. Por nga ana tjetër besimi duhet të përforcohet nga logjika... kur besimi verbohet, atëherë vdes.

Edukimi është përdorur shpesh herë në historinë e njerëzimit nga liderë të rrezikshëm në mënyrë që të kontrollojnë turmat...

Sigurisht. Dikur këtë e bënin duke djegur librat. Kolegët e tyre bashëkohorë kuptuan se nuk nevojitet të djegësh disa libra për të shkatërrur një qytetërim. Thjesht bëji njerëzit të ndalojnë leximin e atyre librave që të ofrojnë një shije mbi gjërat ideale.

Cila është vlera e idealeve?

Të tërheqin që nga momenti që do t’i takosh dhe të pushtojnë. Vlera e një ideali gjendet se ai largohet sa më shumë t’i afrohemi. Të drejta që nuk burojnë nga një detyrë që kemi kryer mirë, nuk kemi të drejtë t’i kemi.

A ja vlen që dikush të luftojë akoma dhe kur shumica e bashkëqytetarëve të tij është rehatuar duke pasur një mendim ndryshe?

Secili ka të drejtë me mënyrën e vet. Por nuk është e pamundur që të gjithë ta kenë gabim. Tek çështjet e ndërgjegjes nuk ka vend ligji i shumicës...

Një këshillë të fundit për lexuesit para se ta mbyllim?

Ekzistojnë dy lloje njerëzish në këtë botë. Ata që marrin meritat dhe ata që realisht bëjnë punën. Kijeni parasysh këshillën time dhe ndiqni kategorinë e dytë. Aty ka shumë më pak konkurencë.

  • Postuar më: 13 Janar, 2015