MATRIX : FILMI NGA PIKËPAMJA FILOZOFIKE

Filmi që i kishte të gjitha. Aksion, komplot mbresëlënës, protagonistë të bukur, muzikë që të mbante në tension, dhe efekte të larta kinematografike. Ndoshta do shiste po aq bileta në qoftëse nuk do të përmbante thellësinë e skenarit. Dhe kjo thellësi ishte realisht aq e madhe sa që dikush pyet veten nëse krijuesit e filmit kanë vetëdijen e të gjitha atyre apo nëse përfundimisht filmi (kjo ndodh në art zakonisht) ishte thjesht një vëzhgim i frymëzuar.

Filmi përmban të gjithë elementët e një Eposi Heroik. Pika qendrore është gjithmonë Heroi, i cili është një njeri si gjithë të tjerët, e vetmja gjë që fillimisht e dallon është qëndrimi i tij ndaj hetimit, kërkimit të së vërtetës. Por tek asnjë Mit nuk arrin tek e vërteta vetëm. Gjithmonë ekziston një mësues, një Qenie që e udhëheq. Në rastin e Heroit tonë, Mësuesi është Morfeus (Perëndia e gjumit në Mitologjinë Greke, këtu zgjon Heroin nga gjumi letargjik.)

Zakonisht gjithçka nis nga një Vendim. Kjo është prova e parë e nxënësit. Asnjëri nuk mund të marri mësimdhënie nëse më parë ai vetë nuk ka vendosur se do të mësojë. Prandaj nxënësia është një veprim energjik. Madje ka disa të dhëna se kadeti tek Misteret e Mëdha të Egjiptit, duhet të zgjidhte midis dy gotash me verë. Njëra nga ato të dyja përmbante helm. Në këtë mënyrë provohej jo vetëm nëse e ka kaluar frikën e vdekjes duke pasur besim në pavdekësinë e Shpirtit, por edhe nëse ka zhvilluar aftësi të tilla në mënyrë që të parandjenjë se kush është vera që do ta çojë në vdekje. Sepse vetëm një budalla do të vdiste nëse s’do të ishte e nevojshme. (Sigurisht që ndoshta nuk e linin të pinte verën e helmuar nëse zgjidhte gotën e gabuar, por thjesht e dërgonin pas në shtëpinë e tij duke e përqeshur).

Kështu edhe këtu, kandidati për Initacionin, domethënë tek dija, duhet të zgjedhë midis pilulës të kuqe ose asaj blu. Të zgjedhë midis rehatisë që ofron mosdija, mungesës së vetëdijes nga njëra anë dhe mallkimit të dijes nga ana tjetër, peshës së lirisë dhe përgjegjësisë nga ana tjetër. Kështu edhe këtu, protagonisti zgjedh të dytën dhe aksioni fillon. Lind për herë të dytë në botën reale kësaj radhë. Nuk është rastësi që të initacionuarit në Misteret e Mëdha i quanin “dy herë të lindur” ose “tre madhështorët”. Sepse një herë lindën në materie si të gjithë ne dhe një herë lindën tek Shpirti.

Në këtë gjendje të re që ndodhet mundohet tashmë me një ritëm të ngadaltë dhe me ndihmën e atyre që e bënë përpara tij dhe të cilët do të jenë bashkudhëtarët e tij, të zgjohet dhe të mësojë të jetojë në realitet.

Përsëri sipas Esoterizmit ekziston një zinxhir i madh mësuesish dhe nxënësish tek i cili kudo që ndodhet dikush, është një nxënës i vogël por edhe një mësues i vogël për pasardhësin.

Një tjetër pikë interesante është se kur lind i dhembin sytë dhe Morfeus i thotë se i dhembin për shkak se po i përdor për herë të parë. Këtu kemi një simbolizëm të pastër, thjesht le të përmendim se edhe Platoni thotë se është e rëndësishme që ai që do të dalë nga shpella, ta bëjë dalëngadalë që ti mësohen sytë, përndryshe do të verbohet nga drita. (Domethënë se Nxënësi duhet ta përvetësojë dijen dalëngadalë, përndryshe do të verbohet dhe do ta përdorë për t’i bërë keq të tjerëve duke u bërë egoist).

Por pasi dikush ta njohë të vërtetën, që është bukuria dhe drita e botës jashtë shpellës, do të dëshirojë që ta ndajë atë me të burgosurit e tjerë. Do dëshirojë t’i ndihmojë të thyejnë vargonjtë e tyre. Të njëjtën gjë bën edhe heroi ynë. Pasi zbulon Matrix (këtu na vjen ndër mend emri sanskrit për botën “maja” = iluzion, Indianët mendojnë se të vërtetën nuk mund ta kapim me shqisat tona), përpiqet pra Heroi ynë, pasi hyn përsëri në Matrix të bindë edhe të tjerë që të zgjohen. Zotërinjtë e shpellës në filmin konkretë janë makineritë. (Ky është një tjetër simbolizëm për pozicionin teknokratik të shoqërisë në të cilën jetojmë). Këto makineri ushqehen me mendimet dhe ndjenjat e njerëzve. Platoni thotë se padronët e shpellës që janë qenie të lira pa zinxhirë (pra më të zhvilluara) ,krijojnë mekanizma brenda shpellës që t’i mbajnë njerëzit sa më shumë që të jetë e mundur në padituri, sepse i kanë nevojë në mënyrë që të ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. Përndryshe nuk ka kuptim ekzistenca e tyre. Kështu që në film nis një luftë e fuqishme midis të mirëve dhe të këqijve. Kjo luftë midis “Bijve të Diellit” dhe “Bijve të Hënës” është një motiv arketipik dhe mund ta gjejmë në mite shumë të lashta dhe në shumë qytetërime.

Një tjetër temë e rëndësishme që prek filmi është Tradhtia. Tradhtari zotëron diçka nga dija, por zgjedh që ta sakrifikojë atë për pasurinë dhe lavdinë e famës. Tek filmi ai tradhton mësuesin e tij, bashkudhëtarët e tij dhe qëllimin e tyre, që të bëhet një Star i Hollivudit (një sarkazëm i paparë e regjisorit). Nxënësi duhet të kalojë shumë prova përpara se përfundimisht të përballet me kundërshtarin e tij më të madh, vetveten, dyshimet e tij, mungesën e besimit të tij, egoizmin e tij. Duhet të bëhet si Shën – Gjergji që vret Dragoin, hijen e tij. ( Le të kujtojmë Tundimin e fundit të Kazanzakit që i referohet pikërisht kësaj prove të fundit.)

Kjo është arsyeja se pse gjatë gjithë stërvitjes së tij Heroi – Nxënës mundohet të mësojë Virtytin e Besnikërisë. Duhet t’i besojë forcave të tij, t’i besojë misionit të tij dhe të besojë tek Shpirti i Pavdekshëm. Vetëm atëherë mund të bëhet i pathyeshëm nga padronët e Matrixit. Për shkak se siç e thotë dhe Morfeus “në qoftëse shpirti yt vdes, vdes dhe trupi”. (të kujtojmë fjalët e Krishtit që thoshte se mund t’i bëni malet që të lëvizin në qoftëse e besoni me të vërtetë) forca e këtij besimi do të vërtetojë se është i Zgjedhuri. Këtu përsëri gjejmë lidhje me traditën Indiane për Avatarat, të zgjedhurit që vijnë që të ndihmojnë botën kur ajo largohet nga e vërteta.

Me të vërtetë që janë të shumta pikat në të cilat do të mund të ndalonte dikush për t’i analizuar. Por qëllimi i këtij artikulli, është një prezantim i vogël i filmit që të nxisim interesin e spektatorit. Të gjitha të tjerat ja lëmë shikuesit që t’i njohë ose t’i kujtojë vetë…

Sido që të jetë pyetja e madhe që gjithnjë do të presë një përgjigje është:

Çfarë është MATRIX ?

  • Postuar më: 04 Shtator, 2017