FJALË TË URTA NGA MID’HAT FRASHËRI

  • Liria është që të mos të të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët.
  • Meqënëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqerinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.
  • Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë.
  • Patriotizmi është një egoizëm. Kjo ndjenjë na shtyn të kërkojmë madhërinë dhe nderin e kombit, se tek ajo madhëri e tek ai nder do të gjejmë ne vetë madhërinë, lumturinë dhe nderin e secilit.
  • Njerëzit e një kombi janë solitarë. E mira dhe lumturia jote janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt nxin edhe faqen time.
  • Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.
  • Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është puna.  Një punonjës për mua është një njeri i madh, qoftë hekuruar, qoftë bujk i palodhur, qoftë artist, ose letrar. Admiroj tek ai sforcim që s’lodhet, vullnetin që nuk dëshpërohet, metodën që i shton fuqinë dhe durimin, që ia bën punën të ketë duk dhe uratë. Se ai që nxjerr një punë në shesh, ai që krijon një send prej asgjëje, ai pa dyshim ka bekim, ka frymë dhe dritë prej së larti.
  • Puna, vulneti dhe palodhja ndalojnë shumë të këqia, lin dhe një tok të tjera.
  • Është i lumtur ai që di dhe mund të punojë, që di dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë.
  • Që ta zgjojmë frymëm e iniciativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë.
  • Disa njerëz nuk duan bisedimin, po u pëlqen vetëfjalimi(monologu): ata këmbëngulin në idetë e tyre dhe marrin vrapin mbi tezën që u pëlqen. Në gjuhën frënge ka një shprehje të bukur për të tillët:” U pëlqen të dëgjojnë veten e tyre”.
  • Bisedimi është një dëfrim shpirti dhe mendjeje që ndien njeriu duke rrëfyer mendimin e tij dhe duke dëgjuar të tjerët,me pak dëshire,me çelje zemre,mbase,nga një herë edhe me pak diplomatëri,si lodra e shahut.
  • Ëmbëlsi e bisedimit është një sforcim që bën njeriu të rrëfejë kthjelltë dhe me elegancë idenë e tij;një përpjekjet që bëjmë të kuptojmë mendimet e tjetrit,të hyjmë në shpirt të tij dhe të identifikohemi me të.Pak njerëz dinë dhe ndjejnë shijen e bisedimit,për të cilin duhet më parë të jemi tolerantë,pa këmbëngulje,të matur dhe pa inat.
  • Fatkeqësi e njerëzisë vjen nga mungimi i vullnetit. Ai ndalon perfeksionimin moral dhe s’na lë të korrigjojmë të metat tona. Ky përtim moral e mban lidhur njerinë me të metat, fajet. Shumë herë njeriu ,duke rrëkëllyer poshtë, dëshiron të mbytnjë atë zë që vjen së thelli…
  • Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës- të bardhë dhe të zezës- të zezë.
  • Është një virtyt i madh të duam të jemi, ashtu si duam, të dukemi ose të rrëfehemi ashtu si jemi.
  • Ena kallaiset së brendëshmi.
  • Miqësia s’bëhet kurdoherë me të ngjarë dhe me simpati të karakterit; shumë herë bëhet me të ditur të bëjmë lëshime për mikun, të dimë ta duam ashtu si është, me të mirat dhe të ligat e tij.
  • Të endurit matet me kut, lëndët me okë dhe koha me ngjarje.
  • Çdo njeri ka një tru të vecantë. Prej trurit vjen mendimi dhe logjika, fytyra besnike dhe harmonike e veglës që mendohet dhe që ndjen. Pas arkitekturës konstitucionale të trurit është dhe karakteri i njeriut, stili i tij në të shkruar, manifestimi i të jashtërave të mendimit, d.m.th prirja e tij për artet grafike dhe plastike, muzikën etj. Mbase një ditë do të vijë, që duke parë veprat e një njeriu, të një piktori, një punë arkitekture, një shkrim etj, do të mundim të bëjmë diagramën besnike të encefalit të tij.
  • Që të mund njeriu të jetë kurdoherë i ndershëm, të mbajë kundër çdo ngjarjeje dhe rënieje ndershmërinë  dhe integritetin e tij, duhet ta marrë në sy që të mund të rrijë një ditë me kepucë të vjetëruara dhe hajë buk’ e djathë. Cdo njeri që është në mizerje, s’është padyshim kurdoherë i ndershëm, po ay që s’duron dot mizerjen dhe privacionin, s’mund që të mbajë ndershmërinë e tij.
  • Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh, të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.
  • Shqipëtari, duke mos qënë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe indipendencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjistë që rrjëdhin nga një jetë indipendente.
  • Çdo përparim vjen nga idetë e përparuara, nga idetë e reja.
  • Ka natyra të frikshme, të dobëta, që tremben prej realitetit dhe pëlqejnë krimbin e dyshimit. Janë si ata që duan më mirë t’u dhëmbë gjithnjë dhëmballa, se sa ta durojnë një herë dhembjen e të qiturit.
  • Entuziazmi, besimi i plotë te mendimi, dëshira dhe inspirimi i minutës, padyshim na shtie shumë herë në faje dhe gabime.
  • Kënaqësi na jep dhe shpesh herë për sa punë të mëdha bëhet shkak.
  • Një ngazëllim i vërtetë është ai që ndjen njeriu pas një shoqërimi, pasë një lufte ndrërmjet dëshirës dhe detyrës, një luftë në të cilën mund veten dhe i jep çelik vullnetit. Në jetë çdo gjë duhet të reduktohet me një operim matematik, me një peshim, dhe do zgjedhur ana që rëndon më tepër.
  • Mësoni të kurseni kohën, mësoni mirë përdorimin e kësaj gjëjë të vlefshme që i thone kohë…Harrojmë se ditët tona janë të matura dhe se gërshëra e shtrigës kohë është gjithnjë gati të presë fillin e gjëllimit…
  • Mbrëmjeve, pa fjetur, shiko hesap e vështro ç’ke bërë ditën dhe, në qoftë se të ka ardhur një mendim i ri, në qoftë se ke ndjerë një gjë të re, mos e kqyr si të humbur atë ditë: je me fitim.
  • Partizanët e barazimit s’duan kurrë që i poshtmi të ngrihet sa i larti, po i larti të unjet sa i poshtm. Rrafshimi ndër ta do me thënë prishje dhe rrëzim. Prandaj vjen fatkeqsia.
  • Gruaja na robëron me dobësitë dhe jo me vullnetin e saj. Sa më pak fuqi të duket se ka gruaja, aq më tepër sipëri ka mbi ne.
  • Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqipëtari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqipëtarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotrinë tënde?
  • Shumë herë ideali për shqipëtarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë.Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.
  • Fatkeqësi që njeriu ka pak ambicion dhe shumë kotësi.
  • I lumtur është ai që në vështirësi lë të flasë zemrën dhe jo mendjen e tij.
  • Njerëzit që s’gjejnë mjaft interes tek vetja e tyre, merren me punët e botës.
  • Shumë herë jeta mbetet si një skicë e pambaruar. Kur shohim zbraztësinë e saj, duam të kompletojmë tablonë, të vëmë ngjyrat e duhura atje ku mungojnë. Por zëmë të shohim se vilari i jetës nuk duron qortime.
  • Feja, mëmëdheu, prona. Por, jo vetëm mëmëdheu, edhe feja vetë, prej frymës së pronës rrjedhin.
  • Fjalët dhe frazat janë kufoma pa jetë: Stili u jep shpirt. Ky shpirt që vëmë në stil, është uni.
  • Vetëm një proverb të mirë di:”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendij fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë!Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin:”Trimi i mirë me shokë…pak!”
  • Ata që s’kanë ndjerë ngazëllimin mistik të sakrificës inteligjente, pa dyshim janë zvjerdhur dhe prej një nga më të mëdhenjtë faktorë të lumturisë.
  • Gjithë fatkeqësia vjen kur njeriu kërkon të rrojë pa fituar, të fitojë pa punuar, të punojë pa u lodhur.
  • Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai që rrëfehet.
  • Shpesh herë zemerimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.
  • Njeriu ka nevojë për dashuri: të dojë dhe të duhet.
  • Në qoftë se kujtimi është një bekim dhe një lumturi, nga ana tjetër edhe harrimi s’është një dhuratë më e vogël e Zotit. Pa harrimin, si do të mundnim të rifillojmë jetën, të kemi kurajo dhe zell, të mbajmë gjallë fjalën e entuziazmës dhe të dashurisë?
  • Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qëneve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut.
  • Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplines dhe zjarri i padurimit.
  • Kur të proponohet një send që e mendon edhe ti të mirë dhe e gjykon të dobishëm,bindu. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.
  • Hiqe veten si pak të mençmë dhe pak të ditur. Mëndjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.
  • Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.
  • Kij ambicion të vërtetë: mos mendo orën e sotme dhe minutën në të cilën rron. Kujto pak pritmin,eternitetin.
  • Dhe së fundi, një fjalë e urtë që i përket më së shumti vetë Mid’hat Frashërit: ”Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar. Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota”.

  • Postuar më: 04 Shtator, 2017