PALLATI I ËNDRRAVE - KLUBI I LIBRIT AKROPOLI I RI 30

Qendra Kulturore dhe Filozofike Akropoli i Ri, në kuadër të sektorit të Filozofisë, organizon më datë 13 Prill, ditën e Shtunë në orën 19:00, Klubin e Librit 30. Në këtë takim do të analizohet vepra “Pallati i Ëndrrave”, nga autori Ismail Kadare.

Pallati i ëndrrave është një roman i shkruar nga Ismail Kadare në vitet 1976-1981 dhe botuar për herë të parë më 1981 në përmbledhjen "Emblema e dikurshme", nën titullin Nëpunësi i pallatit të ëndrrave.
Romani bën fjalë për një shtet totalitar që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane, ku ekziston një institucion shtetëror i quajtur Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), qëllimi i të cilit është mbledhja e ëndrrave të qytetarëve, shqyrtimi dhe interpretimi i tyre me qëllim të gjetjes së shenjave të rebelimit ndaj shtetit ose paralajmërimeve për fatkeqësi. Në këtë roman Kadare, e jep realitetin e kohës dhe të njerëzve të saj prapa metaforave të tilla të gatshme si “pallati i ëndrrave”, nëpunësit dhe interpretuesit e tyre, ëndrra kolektive dhe individuale, ëndrra fatsjellëse dhe rrezikndjellëse, ëndrra të rëndomta dhe bash-ëndrra. Të gjitha këto, Kadaresë ia ofroi mekanizmi i ndryshkur i shtetit të fuqishëm të perandorisë otomane në fundin e tij.
Karakteri shumëplanësh i “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave” lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor.
Vepra na fton të udhëtojmë në një ambient filozofik ku mund të shqyrtojmë më mirë njeriun dhe dilemat që shoqërojnë jetën e tij. Përmes këtij udhëtimi kemi mundësinë të mësojmë se çfarë do të thotë të ëndërrosh vërtet dhe të thellohemi në koncepte si liria e njeriut, tejkalimi i vetvetes, dinjiteti dhe fuqia.

Nëse jeni të interesuar të thelloheni mbi këtë temë mund të paraqiteni pranë Qendrës sonë, ditën e Shtunë, më datë 13.04.2019 në orën 19:00.

Pjesëmarrja është falas.

Për informacione të mëtejshme na kontaktoni në:
Rr. Thanas Ziko (pranë Vilës Goldi), Vila 86
Cel: 0683846540 / 0692285738
Tel: 044319211 - 042247912
Email: [email protected]

  • Postuar më: 25 Mars, 2019