MBJELLJE PEMËSH (VULLNETARIZËM)

Qendra Kulturore dhe Filozofike Akropoli i Ri, në kuadër të iniciativës “Fushata për mbjelljen e pemëve”, organizuar nga Bashkia Tiranë, ftoi vullnetarët e saj për të ofruar kontributin e tyre për mbjelljen e pemëve. Ky aktivitet u organizua në zonën e Vaqarit në fundjavën e fundit të marsit.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, vullnetarë të shumtë nga organizata të ndryshme jofitimprurëse, dhanë shembullin e tyre në një zonë delikate të qytetit të Tiranës për të mbjellë sa më shumë pemë, si një ndër mënyrat më të mira për mbrojtjen e ambientit dhe përkujdesjen e Natyrës.

“Mbrojtësit e vegjël të Natyrës” u vizituan gjatë ditës edhe nga Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, i cili ritheksoi edhe për njëherë tjetër rëndësinë që kanë në vetvete nisma të tilla vullnetare, sidomos në metropolin e Tiranës.

Edhe për njëherë tjetër, anëtarët e Qendrës Akropoli i Ri, treguan dëshirën dhe gatishmërinë e tyre për të ofruar përkujdesje ndaj shoqërisë, komunitetit dhe vetë Natyrës, pjesë e së cilës jemi të gjithë ne, duke theksuar sërish domosdoshmërinë e kontributit tonë në dobi të totalit.

Ju presim në aktivitetet e ardhshme!

Qendra Kulturore dhe Filozofike
Akropoli i Ri


  • Postuar më: 03 Prill, 2019