LABIRINTI I PANIT : FILMI NGA PIKËPAMJA FILOZOFIKE

Është një histori që zhvillohet në dy nivele. Në një nivel real (në Spanjën e Frankos me strategët që përballen me rezistencën e rebelëve të majtë) dhe në një nivel simbolik që është bota brendësore e protagonistes së vogël. Realja ndërthuret me fantastiken, dhe shpeshherë bota simbolike ngjan më e vërtetë. Elementi qendror i të dyja historive është lufta. Lufta e jashtme për pushtet dhe lufta brendësore për shpëtimin e Shpirtit.

Vendi i zhvillimit të ngjarjes është gjithashtu i ngjashëm. Në botën e jashtme është një pyll dhe në botën e brendshme është një labirint. Pylli që ekziston tek përrallat dhe labirinti që ekziston tek mitet, simbolizojnë shumëllojshmërinë e jetës. Çdo njeri mund të zgjedhë shumë rrugë, por mund të humbasë brenda tyre dhe kur të zgjedhë udhën e drejtë ajo do ta udhëheqë në përballjen me hijen e tij, Minotaurin apo ujkun e tij të keq…

Në një pyll të tillë, vjen çdo njeri që të jetojë jetën e tij dhe të marrë eksperienca. Vajza e vogël që është protagonistja, në nivelin simbolik, është psikika. Sipas një tradite të vjetër esoterike, ekziston një mësimdhënie që tregon për burgosjen e psikikës, e cilia duhet të kalojë prova të ndryshme që të çlirohet dhe të rikthehet tek atdheu i saj që është Shpirti. Kështu ndodh edhe tek kjo histori. Vogëlushja është një princeshë që ka humbur mbretërinë e saj dhe duhet që të kalojë prova të ndryshme që ta rifitojë.

Një rol të rëndësishëm luan një Faun. Është gabim përkthimi i fjalës Pan. Këtu kemi një Faun. Në mitologjinë Greke shfaqet si ndjekësi i Perëndisë më mistike, Dionisit. Në Evropën Veriore dhe Perëndimore e gjejmë si një hyjni të Natyrës Ceres, po aq i frikshëm sa edhe i bukur, si vetë Natyra. Ai udhëheq psikikën, meqënëse është edhe më i vjetri, i vë prova, por i jep edhe ndihmë. Mjafton që psikika të ketë besim tek ai, pa e humbur Dallimin e saj.

Janë 3 prova që i jepen.

Tek e para duhet të marrë një çelës nga një bretkosë që ruan pemën e jetës. Bretkosa simbolizon rilindjen. Është një amfib që mundet të jetojë paralelisht në të dyja botët, të tokës dhe të ujit. Në Egjiptin e lashtë paraqitej si Perëndia Heket, mbrojtësja e lindjes. Pra prova e parë fillon me vendimin për të rilindur. Prandaj duhet që të heqë rrobat e saj të bukura, të bëhet pis, të fitojë miqësinë. Pra e shohim të bëhet pis me baltë, rërë dhe ujë, këto dy elemente nga të cilat është ndërtuar trupi, brenda së cilit duhet të hyjë Shpirti kur zbret në botën materiale.

Në provën e dytë Fauni i kërkon që të shkojë e të marrë një thikë nga një vend. Atje do të gjejë një tavolinë të shtruar me ushqime por nuk duhet të hajë nga ato sepse ruhen nga një Qënie shumë e rrezikshme, që nuk është njeri. Por ajo nuk e dëgjon këshillën dhe nuk arrin që ta marrë thikën. Si një tjetër Persefon që ha nga frutet e botës së nëndheshme dhe lidhet më të. Për shkak të këtij veprimi të Persefonit kemi krijimin e cikleve të natyrës Verë – Dimër dhe Perëndesha duket se vdes dhe lind çdo Pranverë. Por vdekja e saj është për ata që janë në tokën e sipërme, sepse për të është mbretëria e saj që shtrihet edhe në një nivel tjetër. Për të nuk ka fund ashtu sikurse edhe për protagonisten e vogël. Nga jashtë duket sikur dështoi, kur nuk solli në botën e sipërme thikën. Është sikur të zgjedhë jetën dhe jo vdekjen. Gjasme nuk dëgjon por ky mosdëgjim është brenda kuadrit të veprimit të saj. Nuk është një qënie e pandershme përballë atij që e udhëheq. Do të provojë, të shijojë, domethënë të njohë dhe le t’i kushtojë parajsën…

Prova e tretë që të fitojë mbretërinë e saj është që të sakrifikojë vëllanë e saj të vogël. Duhet që të derdhet gjak i pafajshëm në labirint që të hapen portat e tij. Është prova më e vështirë. Vogëlushja e mohon parajsën nëse si kusht i duhet që të ndyjë duart e saj me gjak. Ka fituar brenda saj Dashuria dhe Dhembshuria. Por kjo sakrificë e saj do të bëjë që Portat të hapen. Që psikika të çlirohet duhet që të tejkalojë akoma edhe egoizmin e saj që e bëri të dëshironte shpëtimin.

Filmi mbaron me protagonisten përballë tre fronesh dhe mbi të shkëlqen një Diell i artë. Psikika u kthye dhe gjendet pranë tri elementëve të Shpirtit: Vullnetit, Dashurisë, Intelektit. Arriti që ti mposhtte provat e saj duke përdorur këto tri elemente, kur u kujtua se kishte prejardhjen prej tyre…

  • Postuar më: 04 Shtator, 2014