KLUBI I LIBRIT 30 “AKROPOLI I RI” (FILOZOFI)

Qendra Kulturore dhe Filozofike “Akropoli i Ri”, në kuadër të sektorit të Filozofisë dhe Kulturës, organizoi këtë fundjavë Klubin e Librit 30. Në këtë takim u analizua vepra “Pallati i Ëndrrave”, nga autori Ismail Kadare.

Romani bën fjalë për një shtet totalitar që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane, ku ekziston një institucion shtetëror i quajtur Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), qëllimi i të cilit është mbledhja e ëndrrave të qytetarëve, shqyrtimi dhe interpretimi i tyre me qëllim të gjetjes së shenjave të rebelimit ndaj shtetit ose paralajmërimeve për fatkeqësi.


Karakteri shumëplanësh i “Nëpunësit të Pallatit të Ëndrrave” lidhet me raportin themelor që qëndron në boshtin e romanit: raporti i individit me shtetin, më saktë raporti i individit që ka ambicien të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit, por në të vërtetë, duke e parë nga brenda këtë ngrehinë të përbindshme, ai njeh dobësinë dhe pafuqinë e tij, sheh peshën mbytëse të strukturave gjigande të makinës perandorake, e cila ndryshon vetëm nga përmasa fizike, por jo nga mënyra e të ushtruarit të artit të shuarjes së identitetit njerëzor.


Vepra na fton të udhëtojmë në një ambient filozofik ku mund të shqyrtojmë më mirë njeriun dhe dilemat që shoqërojnë jetën e tij. Përmes këtij udhëtimi kemi mundësinë të mësojmë se çfarë do të thotë të ëndërrosh vërtet dhe të thellohemi në koncepte si liria e njeriut, tejkalimi i vetvetes, dinjiteti dhe fuqia.

Ju mirëpresim në aktivitete të tjera
Qendra Kulturore & Filozofike
“Akropoli i Ri”


  • Postuar më: 16 Prill, 2019