Dita Ndërkombëtare e Filozofisë

Qendra Kulturore dhe Filozofike Akropoli i Ri në kuadër të sektorit të Filozofisë, organizoi aktivitetin “Dita Ndërkombëtare e Filozofisë”.

Një aktivitet i kthyer në një traditë të konsoliduar të shoqërisë sonë, mblodhi në ambientet e kësaj Qendre Filozofike, dashamirësit e dijes dhe filozofëve më të mëdhënj të të gjitha kohërave.

Ky aktivitet, i cili u mbajt përgjatë gjithë mbrëmjes, erdhi në formë prezantimesh nga dy panele të cilët na njohën më tepër mbi përfaqësuesit më të mëdhenj të filozofisë.

Paneli i parë risolli edhe njëherë në fokus Platonin dhe Aristotelin duke vënë në pah ngjashmëritë dhe diferencat midis dy gjigandëve. Gjithashtu u diskutua mbi Filozofinë e lashtë lindore me përfaqësues Lao Çe dhe Konfuci.

Paneli i dytë prezantoi Stoikët, me përfaqësues Mark Aureli dhe Seneka, të cilët promovojnë jetën ideale atë të qenurit një dhe në harmoni me Natyrën dhe se çelësi për një jetë të shëndetshme, është të pasurit një gjendje të shkëlqyer mendore. Më pas bëmë një udhëtim në kohë, pak më pranë të tashmes tonë, ku u analizuan pikat kyç të Niçes dhe Kantit. 

Mbrëmja u mbyll me diskutimin mbi pyetjen që ngrenë shumë të rinj dhe jo vetëm: Si të filozofojmë në ditët e sotme?

Dita Ndërkombëtare e Filozofisë është një nismë botërore e cila fton njerëzit që gjatë një dite të vitit të mund të reflektojnë dhe të vetëdijesohen mbi rëndësinë e të filozofuarit edhe në epokën ku jetojmë, pasi botëkuptimi dhe zgjerimi i horizontit promovojnë disa nga vlerat më të thella të njeriut si paqja, toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa.

Ju presim në aktivitetet e ardhshme!
Qendra Kulturore dhe Filozofike
Akropoli i Ri

  • Postuar më: 20 Nëntor, 2018