BARIU I SHENJTË NË MITOLOGJINË SHQIPTARE

Ky është emri poullor i Shën Martinit, mbrojtësit të ujqërve dhe njëherazi të bagëtisë. Në mendësinë popullore shqiptare ai ushqente një nderim të vecantë, sepse për të ndizeshin qirinj në të kremte me karakter fisnor. Bariu i Shenjtë ka disa ngjashmëri me Panin, hyjin-bari me brirë dhe me këmbë cjapi, por ka edhe veçoritë e tij, të cilat i gjejmë vetëm tek shqiptarët. Sipas besimeve popullore ai është hyji i maleve e pyjeve, gjegjësi mashkullor i Zanës. Përfytyrohet si një njeri vigan që banon i vetëm në pyje. Ai është zotërues i ujqërve, të cilët i ushqen, i drejton, por edhe i dënon. Kur do t’i ushqejë, shenjti u hedh disa kokrra misterioze jeshile, me madhësinë e frutit të dëllenjës , ose i urdhëron që të venë të hanë aksh bagëtish të aksh malësori. Por po deshi, ai ua “lidh” gojën e ndonjëherë, edhe i ndëshkon për prapësitë që bëjnë. Njihet edhe me emrat Bariu Hyjnor, Shën Marti, Shmarti, Shmartuku, Hazreti apo Hazëri (a Hezri), Njeriu i Mirë, Njeriu i Shenjtë apo Njeriu Jeshil.

Marrë nga Fjalori i Mitologjisë dhe Demonologjisë Shqiptare.


  • Postuar më: 04 Shtator, 2017